Konkursi, shpëtimi i vetëm për manifestimet kulturore të Prizrenit


Prizren - Kufizimet buxhetore për kulturën edhe sivjet detyruan zyrtarët komunal të këtij sektori në Prizren, të kërkojnë mundësi alternative për organizimin e dy ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të këtij qyteti, festivalit "Zambaku" dhe "Fluturat", organizatori i të cilave edhe sivjet zgjidhet me konkurs. Për organizimin e këtyre ngjarjeve kulturore nga buxheti komunal është ndarë një shumë buxhetore prej vetëm 8.000 €, pjesa më e madhe e tyre për “Zambakun”. Urim Ukimeri, koordinator në Drejtorinë komunale për Kulturë në Prizren, tha se mungesa e mjeteve financiare, që do ta përcjellë pozicionin për manifestime kulturore deri në vitin 2009 ka bërë që edhe sivjet komuna të përcaktohet për organizimin kësisoj të këtyre manifestimeve, për të cilat mund të konkurrojnë shtëpi muzikore profesionale. Ai tha se kjo formë nënkupton, që këto manifestime të mbahen nën patronatin e Drejtorisë për Kulturë, por organizimin profesional si dhe të gjitha çështjet financiare rreth organizimit, përfshirë edhe fitimin t'i merr përsipër produksioni apo ofertuesi i interesuar. Manifestimet mendohet të bëhen pas një përzgjedhjeje nga një komision profesional dhe pasi që ofertuesi paraprakisht të ketë prezantuar projekt- idenë për organizim. /gazeta ekspress