Kombibusët e Sharrit sërish me telashe


Sharr - Përderisa të zgjidhet problemi i krijuar për pronarët e kombibusëve të Sharrit, në ditët vijuese ata do të ballafaqohen me pengesa të shumta. Policia ka në dorë një urdhëresë nga Ministria e Transportit, me të cilën do t’i ndaloj ata, edhe pse bordi i drejtorëve në Sharr ua ka lejuar veprimtarinë, deri në vitin e ardhshëm.
Afro 70 pronarë të kombibusëve, pothuajse gjatë gjithë ditës së martë, kanë qëndruar në korridoret e ndërtesës së KK-së, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje, pasi Shërbimi Rajonal i Inspekcionit ua ka ndaluar qarkullimin në territorin e komunës së Prizrenit. Taksistët thonë se ata me kohë i kanë njoftuar organet komunale të Sharrit për këtë problem dhe kanë kërkuar një zgjidhje, por ende nuk kanë përgjigje pozitive. Ata kanë zhvilluar edhe një takim të përbashkët me zyrtarët komunalë të Sharrit, inspektorin e Ministrisë së Transportit, Sami Fusha, dhe drejtorin e Drejtorisë për Komunikacion të Prizrenit, Hanefi Muharremin, por pa sukses. Pjesëmarrësit e këtij takimi, përkundër angazhimeve të vazhdueshme të kompetentëve të Sharrit, kanë vendosur që ta mbrojnë urdhrin e ministrisë. Sami Fusha ka mbrojtur qëndrimin e ministrisë që ai e përfaqëson, si dhe rregulloret dhe qarkoret në fuqi. Pas këtij takimi, është mbajtur edhe një takim tjetër me shefin e ekzekutivit të Sharrit, Bexhet Xheladinin, më të cilin është vendosur që një delegacion i përbashkët, sot të kontaktojë me zyrtarët e Ministrisë, për zgjidhjen e këtij problemi. Lidhur me këtë, shefi i inspekcionit në Sharr, Anvi Nebiu, tha se me përfaqësuesit e ministrisë ka pas një takim të përbashkët në Prizren dhe i ka njoftuar me specifikat e komunës së Sharrit, por, pse nuk është ndërmarrë diç në këtë drejtim, Nebiu nuk ishte në dijeni. Pronarët e kombibusëve, përkundër këtyre ndalesave, janë të vendosur të vazhdojnë punën. Kjo, sepse, siç pohuan ata, këtë veprimtari e kanë të vetmin burim jetese. Nga ana tjetër, kryeshefi i ekzekutivit të Sharrit, Bexhet Xheladini, i ka porositur që mos të rrezikojnë asgjë, përderisa të gjendet një zgjidhje “Më vjen keq që leja jonë nuk po ju bën punë. Është urdhër nga lartë dhe ne s’kemi çka bëjmë”, u tha Xheladini taksistëve. Me një konkluzion të qeverisë lokale të Sharrit, kombibusëve u është zgjatuar veprimtaria deri më 19 shkurt të vitit 2008, por me urdhër të ministrisë, policia nuk e njeh këtë konkluzion si leje veprimi. /b. beqaj