Granata e dytë kundër familjes Sadikaj


Bellobrad - Në orët hershme të mëngjesit të së enjtes, është gjuajtur me granatë pompa e derivateve “Shyqa - Petrol” në Bellobrad. Pronari i këtij objekti, Hasim Sadikaj, dyshon që granatimi të jetë bërë nga murtaja e dorës nga mali, në afërsi të pompës. Lajmin e ka konfirmuar edhe policia rajonale në Prizren, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka hetuar rastin “Në orët e hershme të mëngjesit, në pompën e karburanteve ‘Shyqa - Petrol’ në Bellobrad ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Policia ka siguruar vendin e ngjarjes, i cili po hetohet nga Njësitet për Krime Teknike. Rrethanat e shpërthimit ende janë në hetim e sipër”, thuhet në njoftimin e policisë rajonale në Prizren.
Mësohet se shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, i cili përpos dëme të mëdha materiale që i ka shkaktuar pronarit, ka dëmtuar edhe dy shtëpi në fqinjësi. Karanfil Beqaj, njëri nga fqinjët tha se në çastin e shpërthimit, të gjithë ishin në gjum “Ne ishim në gjum kur u dridh e tërë shtëpia. Kur u zgjuam, përpos që fëmijët ishin të shqetësuar tej mase, vërejta se të gjitha xhamat na janë thyer. Në mëngjes gjeta copa të metalit, të cilat kanë depërtuar në dhomë. Për fat, nuk jemi lënduar”, tha Beqaj.
Shpërthimi i së enjtes u bë, pak ditë pasi qyetarët e këtij lokaliteti kërkuan ndriqimin publik, për të qenë më të mbrojtur nga ngjarjet e tilla. Vitin e kaluar, me një granatë dore është goditur autobusi i ndërmarrjes “Fjolla-Impex”, i cili qarkullon në relacionin Sharr – Beograd. Pronar i kësaj firme është vëllai i pronarit të pompës së derivateve, e cila u sulmua mëngjesin e së enjtes. /b. beqaj