Sharr - Rreth 30 mijë hektarë kullota të larta të Sharrit, me ujëra të rrëmbyeshëm dhe bukuri atraktive, paraqesin potencialet kryesore për zhvillimin e blegtorisë, turizmit dhe energjetikës në këtë komunë të pa zhvilluar. Për këtë arsye, shumë herë janë mbajtur takime të përbashkëta midis zyrtarëve komunalë të Sharrit, përfaqësuesve të AKM-së, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, AER-it, dhe atyre të ndërmarrjes “Sharrprodhimi”, e cila posedon gati gjysmën e territorit të komunës.
Zyrtarët komunalë kanë kërkuar që komuna të përfshihet në programin zhvillimor të AER-it, në periudhën 2007- 2013. Ata njëherësh, duke prezantuar politikën zhvillimore, kanë kërkuar nga AKM-ja që të mos privatizohen kullotat, ngase ato përbëjnë resurset kryesore për zhvillim të turizmit, blegtorisë dhe energjetikës. Së fundi, AKM-ja ka nxjerrë në shitje në valën e 23 të privatizimit ndërmarrjen bujqësore "Sharrprodhimi", e cila ka në pronësi rreth 30 mijë hektarë tokë, nga 435 kilometra katror, sa ka gjithsejtë sipërfaqe komuna e Sharrit. Megjithatë, kësaj radhe do të përjashtohet shitja e kullotave të larta. “Ndërmarrja e Re ‘Sharrprodhimi’, fermat në Mejdan, do të përfshijë sipërfaqen totale, të përafërt me 450 hektarë tokë, duke përfshirë edhe shtatë ndërtesa, secila me sipërfaqe të përafërt rreth 1.500 metra katror”, sqarohet në tenderin e AKM-së.
Zyrtarët komunalë kanë thënë, njëherësh, se toka të cilën tash e ka në pronësi kjo ndërmarrje, ka qenë e komunës por që pushteti komunist ia ka dhënë në shfrytëzim "Sharrprodhimit", e cila më pas ka arritur ta shndërroj në pronë të vetën. Kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur për media, se komuna rrezikohet të mbetet pa asnjë pëllëmbë tokë për zgjerimin e infrastrukturës, nëse AKM-ja nuk i merr parasysh vërejtjet e tyre “Pronat brenda qytezës së Sharrit dhe rreth 450 hektarë tokë punuese, dikur kanë qenë të komunës. Pushteti i mëhershëm ua ka dhënë në shfrytëzim dy ndërmarrjeve shoqërore. Tani, kur këto prona të privatizohet, komuna do të jetë e detyruar të blejë pronën e vet nga pronarët e rinj”, sqaron Xheladini. Sipas tij, komuna disa herë ka kërkuar nga AKM-ja të bëj ndërrimin e disa pronave brenda njësisë kadastrale të Sharrit, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur.
Kundër privatizimit të kësaj prone janë shprehur edhe banorët dhe fermerët individualë. Sipas tyre, kjo tokë u është marrë me dhunë nga ish sistemi socialist “Këto sipërfaqe u janë marrë fshatarëve, për t’ia dhënë në shfrytëzim kooperativës së atëhershme. Por, kjo e fundit, në bashkëpunim me udhëheqësit komunist të asaj kohe, ka arritur ta shndërroj në pronë të vetën. Privatizimi i tyre do të nxisë një përçarje midis qytetarëve”, thotë Hafiz Rifaj, drejtor i Kooperativës Bujqësore “Sharri” në Bellobrad. Mendim të njëjtë ka shprehur edhe fermeri tjetër, Masar Piraj, pronar i fermës së lopëve “Blegtori” nga fshati Plavë. Sipas tij, nëse shiten këto toka, atyre u duhet ta shuajnë aktivitetin “Kur unë e hapa fermën, kisha parasysh resurset që kemi. Nëse ato shiten, ne nuk mund të vazhdojmë këtë aktivitet”, tha Piraj.
Drejtori i “Sharrprodhimit”, i zgjedhur nga AKM-ja, Nijazi Tërshnjaku, tha se çështja pronësoro-juridike e kësaj ndërmarrje, është punë e kryer. Ajo është pasuri e ndërmarrjes “Se si ka qenë çështja e kësaj prone më herët, nuk dua ta komentoj. E imja është të veproj sipas gjendjes aktuale. Ndërmarrja po shitet dhe së shpejti do të dihet pronari i ri. Fundja, kjo është e domosdoshme, sepse gjendja aktuale e ndërmarrjes nuk është e mire”, tha Tërshnjaku, duke njoftuar se AKM-ja ka vënë disa kushte për blerësin “Kushdo që t’i blej stallat, bashkë me tokën, do të jetë i obliguar të mbaj 3 mijë dele dhe assesi të mos e ndërroj destinacionin. Edhe pse nuk do të shitet me spin-off special, këto kushte do të jenë obligative”, tha Tërshnjaku. Sipas zyrtarëve të AKM-së, afati i fundit për parakualifikim është më 11 prill të këtij viti. Ndërkaq ofertat do të dorëzohen më 18 prill. /b. beqaj
