Veshjet gorane, në zhdukje e sipër !?


Sharr - Murat Nemçe nga fshati më i madh i Gorës dhe komunës së Sharrit, Restelicë, i ulur pranë makinës së tij qep veshje tradicionale gorane, por edhe disa nga ato shqiptare. Ai mundohet ta mbaj gjallë zejen që ushtron familja e tij, më shumë se një shekull. Por, sipas tij, kohët e fundit është bërë vështirë të mbijetoj kjo zeje “Gjithnjë e më vështirë po bëhet ruajtja e kësaj tradite. Kjo, sepse po ndikojnë shumë faktorë, si përdorimi gjithnjë e më pak i këtyre veshjeve, mungesa e lëndës së parë, si dhe kushtet për punë”, thotë Nemçe, i cili njëherësh është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Restelicë. Aktiviteti partiak, sidomos shtrirja e një partie shqiptare në trevën e Gorës, është raritet i dytë që bën Nemçe në komunën e Sharrit. Ai thotë se aktivitetet që bën kanë për qëllim ruajtjen e identitetit të popullatës gorane, duke i shkoqitur ata nga lidhshmëria me Serbinë, për t’i kthyer në bashkëjetesë me shqiptarët e Opojës “Me Opojën ne e kemi gjallën, jo me Serbinë... Këtë duhet ta kuptoj çdo bashkëkombës imi. Mirëpo, duhet të kuptohen këto veprime të një pjese të popullit tim, sepse sundimi i gjatë i Serbisë e ka bërë të vetën”, thotë Nemçe. Ai, bashkë me vëllezërit ka hapur punëtorinë familjare për qepjen e veshjeve tradicionale në qendër të Sharrit, për të cilën qytezë thotë se është qendra e trojeve shqiptare “Po të merren parasysh trojet shqiptare, Sharri është në qendër. Ne punojmë edhe për goranët matanë kufirit në Shqipëri, Maqedoni dhe fshatrave tona në komunën e Prizrenit. Mirëpo, vëllai i Muratit, Rexhepi, ankohet për politikat fiskale të shtetit. Sipas tij, komuna duhet t’i stimuloj këto veprimtari të rralla “Ne po mundohemi ta mbajmë gjallë këtë zeje, pavarësisht vështirësive. Prandaj shteti duhet të ketë konsideratë ndaj ne, jo të na barazoj me stërshitësit e rëndomtë. Nëse nuk mundet me na mbështet financiarisht, atëherë do të mundte të na lejoj nga disa tatime”, thotë Rexhep Nemçe.
Sipas vëllezërve Nemçe, veshja gorane është pasuri e kulturës kosovare. Ata mendojnë se kjo veshje ka shumë pak dallim nga veshja kombëtare shqiptare nga Opoja “Dallimi mes veshjes gorane dhe asaj opojane është po aq e madhe sa edhe veshja opojane me ato nga trevat tjera shqiptare”, pohon Murat Nemçe.
Nga rreth 20 mijë banorët e Gorës, veshja tradicionale përdoret nën 40 për qind. Më së shumti përdoret nga gjinia femërore, ndërkohë që nga meshkujt ajo përdoret shumë pak. /b. beqaj