Transformatori më i popullarizuar në Sharr !


Sharr - Një transformator i rrymës elektrike ka mbetur tash dy javë në kamionin e firmës "Teuta-Impex", në pritje për t'u kthyer në stallat e ndërmarrjes bujqësore "Sharr-Prodhimi", nga ku është marrë, apo për t'u vendosur në afërsi të Qendrës për Kontrollimin Teknik të Automjeteve, pronar i së cilës është kryetari i Komunës së Sharrit, Halim Shemsidini. Në çështje është përfshirë edhe policia, e cila intervenoi pas thirrjes së një punëtori se transformatori i tyre po çmontohej nga disa punëtorë të KEK-ut.
Zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha, tha se pasi ka dalë në vendngjarje, policia ka vërtetuar se nuk bëhet fjalë për vjedhje, por ekziston një marrëveshje midis drejtorit të "Sharr-Prodhimit" dhe kryetarit të KK-së për zhvendosjen e këtij transformatori. Por drejtori i kësaj ndërmarrjeje bujqësore, Njazi Tërshnjaku, mohon se ka pasur marrëveshje me ndokënd për zhvendosjen e trafos. "Më ka telefonuar një punëtor se dikush është duke e çmontuar transformatorin, prandaj unë e kam njoftuar policinë, e cila ka arritur ta ndalojë kamionin e ngarkuar... Unë e di kush është autor i kësaj grabitjeje, prandaj do të ngre padi, në emër të ndërmarrjes që e drejtoj", tha Tërshnjaku, i cili nuk dëshiron të saktësojë se kush është "hajni". Ai thotë se një deklaratë të tillë i ka dhënë edhe policisë.
Drejtori i Njësisë së KEK-ut në Sharr, Ymri Skeraj, tha se transformatori i çmontuar nuk është pronë e tyre dhe se nuk ka urdhëruar që punëtorët e tij ta çmontojnë. "Pse dikush nga punëtorët tanë është involvuar, kjo mbetet çështje e tyre personale", tha Skeraj.
Pronari i ndërmarrjes "Teuta-Impex", Lirim Sadikaj, thotë se është angazhuar për ta transportuar transformatorin nga kryetari Shemsidini. "Disa ditë më ka lutur kryetari që ta bëj transportin e këtij transformatori, meqë ai ishte marrë vesh me drejtorin e 'Sharr-Prodhimit', që të çmontohet transformatori në kompleksin blegtoral, për t'u vendosur në lagjen tonë, ku ka ekzistuar transformatori i mëhershëm. Unë kam kontaktuar me një punëtor të KEK-ut, me të cilin ka biseduar edhe kryetari. Tre punëtorë të KEK-ut, me automjet zyrtar kanë ardhur në firmën tonë dhe bashkë me kamionin tim kanë shkuar te transformatori. Pasi punëtorët e KEK-ut e kanë çmontuar, janë larguar pa asnjë arsyetim, duke e lënë të vetmuar shoferin që e kam angazhuar unë. Ka ekzistuar marrëveshja me punëtorët e KEK-ut, që të nesërmen transformatori të montohet në vendin ku ka qenë një transformator tjetër, por ende na ka mbetur neve si barrë", tha Sadikaj.
Megjithëse ne e fotografuam të hënën trafon e ngarkuar në kamionin e Sadikajt, drejtori i "Sharr-Prodhimit" thotë se ajo gjendet në depon e ndërmarrjes së tij, porse nuk është montuar ende. Policia nuk e di pse trafoja qëndron ende në ndërmarrjen "Teuta-Impex".
"Ne i kemi kryer hetimet", tha zëdhënësi Berisha.
Halim Shemsidini thotë se është i përfshirë në këtë çështje, vetëm pse ka dashur t'u dalë në ndihmë qytetarëve të lagjes, nga ku ishte hequr më herët trafoja. "Mua më ka kontaktuar drejtori i 'Sharr-Prodhimit', duke kërkuar që ta angazhoj KEK-un dhe ta siguroj transportin, sepse ai do ta marrë nga një pronë tjetër e ndërmarrjes një transformator, për ta vendosur në vendin e transformatorit të vjetër. Kam angazhuar dikë nga KEK-u dhe kam siguruar transportin. Këtu nuk bëhet fjalë për vjedhje, as për keqpërdorim, por vetëm për angazhimin tim moral për qytetarët", tha Shemsidini.
Kryeshefi i Ekzekutivit, Bexhet Xheladini, tha se shumë qytetarë i janë ankuar për rrymën e dobët dhe kanë kërkuar që trafoja e vjetër të kthehet aty ku ka qenë përpara. "Kam kontaktuar drejtorin e 'Sharr-Prodhimit' dhe jam interesuar për fatin e transformatorit që është hequr vitin e kaluar. Ai më ka thënë se e ka çuar në riparim dhe do ta kthejë së shpejti. Mirëpo, kaloi një kohë e gjatë dhe kjo nuk ndodhi. Qytetarët na kanë thënë se ai transformator
është shitur nga drejtori Tërshnjaku", tha Xheladini.
Kreu i opozitës dyshimin kryesor e hedh mbi kryetarin Shemsidini. "Transformatori është çmontuar me urdhër të kryetarit, me qëllim që të vendoset afër objektit të tij, i cili këtë vit fillon si Qendër e Kontrollimit Teknik të Automjeteve", tha kryetari i PDK-së, Salim Jonuzi. Ai shtoi se një transformator në atë lagje ka ekzistuar, por ai është avulluar vitin e kaluar. "Tani, kur edhe vetë kryetari ka nevojë për energji elektrike në atë zonë, është angazhuar, duke e shfrytëzuar autoritetin e vet prej kryetari, që të gjejë zgjidhje", tha Jonuzi. Trafoja e vjetër ka qenë e vendosur në fabrikën për përpunimin e bimëve mjekuese, e cila vepronte në kuadër të "Sharr-Prodhimit". Kjo fabrikë është bombarduar tërësisht nga NATO-ja, ndërkohë që gërmadhat e saj do të shitet në raundin e 22-të të privatizimit. /b. beqaj