Super-regjisori Resul Jusufi

Prishtinë - Jo që kanë dëshirë, por për shkak të mungesës së buxhetit, shumë regjisorë kosovarë janë të detyruar që tekstin, skenografinë, muzikën dhe kostumografinë e shfaqjes t'i bëjnë vetë. Regjisori opojan Resul Jusufi, i cili tetë shfaqje i ka realizuar pa ndihmën e askujt, thotë se kjo formë e punës është edhe natyra e teatrit të tij. Shfaqjet e Jusufit janë shpërblyer në vende të ndryshme të Evropës.
Ndonëse thotë se njeriu që bën shumë punë vetë, nuk mund të jetë aq i suksesshëm, ai pranon se ia ka dalë. Shfaqja e fundit e tij titullohet "Në terr po, në dritë jo" dhe Jusufi ia ka bërë vetë tekstin, regjinë, muzikën dhe skenografinë. Ai mendon se do të ketë sukses kjo shfaqje. "Unë kam një dashuri të madhe për punën që e bëj. Përgatitem pesë muaj, pastaj i bëj skicat e shfaqjes dhe me aktorët punoj dy muaj", thotë Jusufi, duke shtuar se është koha që të përkrahet ky lloj teatri alternativ. "Është teatër që me pak fjalë tregon shumë", përfundon Jusufi. /lajm