Shkruan: Muhamet BERISHA

Sapo e kuptoi Sherifi (Shekspiri) se e dashura e tij Xhyla (Xhulieta) po e tradhtonte me komshiun e tij të parë Ramën (Romeon), u bë paksa nervoz dhe vendosi ta denoncoj atw publikisht. Kështu, Sherifi e shkroi librin Roma dhe Xhyla. Anglezët personazheve dhe vet autorit, një qik ua deformuan emrat që t’i paraqisnin si të vetët dhe librin e titulluan “Romeo dhe Xhulieta”.
I gjori Sherif, duke vuajtur një kohë të gjatë nga ndjenja e hajnisë, (sepse edhe sot ai mendon që Rama ia vodhi të dashurën) vendosi t’i luftoj hajnat ku janë e ku s’janë.
Ajo që e shtyri Sherifin/Shekspirin të vije në Kosovë, pikërisht në Sharr, ishte një vjedhje e pazakonshme, e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë gjëkundi! Këto ditë ishte vjedhur një transformator. Vjedhësi ishte kapur në flagrancë, por se kish dert këtë punë. Para një viti një transformator tjetër ishte avulluar, edhe pse në Sharr nuk bën aq vapë!
Pasi shaloi kuajt dhe u nisë me karrocën, të cilën ia kishte falur Ismail Qemali, vendosi t’ia mësyj Kosovës, të kaloj male dhe kodra, lumenj e dete, pa e diktuar njeri. Dilemën më të madhe e kishte se kah të hynte në Kosovë, kah t’ia mësynte?! T’ia mbajë nëpër Shqipëri, kishte frikë se mos po i thyhet karroca, pastaj edhe nuk ishte mirë i armatosur! Mendonte me vete - t’i luftoj gjithë ata hajna atje, më duhet një ushtri e tërë. Më mirë po e marr një shteg tjetër më të sigurt.
Po të hynte nëpër Serbi, edhe më keq. Serbët ishin ata që Sherifit ia vodhën lirinë dhe e detyruan të migroj dikur moti në Britani, prandaj vendosi që disi përmes Maqedonisë, duke ndjekur rrugët lokale që të mos përballët diku me ndonjë qeveritarë, kryetar komune apo drejtor të katandisur, të mbërrinte i paprekur deri aty ku ishte kryer vjedhja, në Sharr. Ia doli disi dhe pa therë në këmbë mbërrini në cak. U habit pa masë, kur në qendër të qytezës, në një makinë të bardhë pa Otellon të cilin e kishte sajuar vet, kurse tani ai ish bërë realitet dhe kishte një post të lartë në UNMIK! Bile ai të shikon njëherë drejt në sy. Po qe se atij (Otellos) nuk i pëlqen si fytyrë, s’ke shans të marrësh pasaportën, të cilës i kalon afati para se të kryesh vizitën në ndonjë shtet tjetër!
Pasi Sherifi iu shpjegua të sajuarit të tij dhe i tregoi arsyen përse kishte ardhur, Otello iu drejtua me këto fjalë: “O njeri i mirë, ndërro mendje, mos ndërmerr një hap të tillë se ai që e bëri këtë vjedhje dhe bën shumë marifetllëqe të tjera, është lartmadhëria e tij, vet mbreti Lir. Por, mos harro të lutëm se ky nuk është më ai që ti e sajove së bashku me mu e i cili përfundoi tragjikisht, ai e ka marrë veten dhe është bërë një sundues real. Nuk i përngjanë fare më atij që ti dikur e shpike! Më nuk mund ta shlyesh nga rreshtat, ai tani është kapitull në vete! Janë ndërruar rolet i nderuar, ne të sajuarit jemi ata që udhëheqim botën, e jo më Shekspiri, dreqi e i biri!.
Ehu... djall o punë – psherëtiu thellë Sherifi dhe mbeti i shtangur për një moment! Mos u gënje miku im, un nuk jam më ai skllavi i dikurshëm i veprave tua, i cili shërbente të pasurit. Tani të gjithë më përgjërohen, të pasurit dhe të varfrit, gratë dhe burrat, pleqtë e fëmijët! Po të më teket, mund ta përmbys sa qel e mbyll sytë fronin e mbretit Lir, por nuk e bej dot se ne jemi një. Ne jemi një perandori gjigante, kurse ai është vetëm një mbret si shumë mbretër tjerë të vocërr e që e kanë sherrin e madh. Por, si duket miku im ti akoma nuk paskëshe arritur të kuptosh dallimin mes një mbreti dhe perandori! Besoj se do të mësosh shumë gjëra që ne i shpikëm dhe do i shpikim në të ardhmen e afërme.
Edhe ata i kanë mekanizmat e dhunës në mbretërinë e tyre, por nuk e kanë perandorinë. Elementet që mundësojnë ekzistencën e tyre dhe nuk rrezikojnë perandorinë tonë, janë dy: Hajnia dhe gjahu i shtrigave.
Ne u ndihmojmë në përballimin e sfidave të përditshme që kanë të bëjnë me hajni, kurse gjahun e shtrigave e kryejnë vet, pa ndihmën tonë, sepse kanë princat dhe shërbëtorët e tyre që në mënyrë të përkryer ua lajnë hesapet me të tjerët! Eh more lum miku, asgjë nuk është mbreti çka janë princat dhe shërbëtorët! Më mirë është të të hanë bretkosat se sa të kesh punë me ta! Ç’të bësh, vet na krijove asisoj! Na linde nga tragjeditë dhe na bëre tragjik për popullin tënd, tani ne jemi vet tragjedia!
Lartmadhëria e tij – mbreti Lir, të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai, në formë të përsosur dhe tërthore ua prenë të gjitha shtigjet që qojnë kah rrezikimi i mbretërisë së tij. Beso, edhe vet Stalini do ua kishte lakmi se si këta mbretër të lashtë dinë të merren në shoqërinë moderne me punët e shtetit dhe me ata që mendojnë ndryshe. Me “dinjitet” të lartë e mbrojnë atë që u përket dhe nuk u përket atyre! Në kuadër të perandorisë sonë ka shumë mbretëri. Shumë interesant është fakti se asnjëra nga këto (mbretëri) nuk mendon njësoj, por është shumë me rëndësi dhe “shpresëdhënëse” se të gjithë e kanë vetëm një qëllim - të mbetën përjetë mbretër. Ç’është e vërteta, të gjithë këta kanë mekanizmat e përsosur për denoncimin e njëri - tjetrit, por ata që vendosin dhe firmosin jemi ne dhe vetëm ne, PERANDORIA. Po deshëm ne, këtyre ua prejmë bishtin, ua thyejmë duar e këmbë, hundë e nofulla, ua shkurtojmë gjuhën që të mos flasin ashtu siç dëshirojnë vet. E dini se ata të gjitha këto tortura për mrekulli i durojnë! Ka vetëm një gjë që se përballojnë dot; t’i largosh nga froni mbretërorë, ajo punë i deklason, i shtrinë përdhe dhe nuk lëvizin më të gjallë! Këtë formë ndëshkimi ne shumë rrallë e praktikojmë, sepse pa ta as ne s’mund të mbijetojmë (përveç atëherë kur rebelohen dhe nuk na dëgjojnë)!
O Shekspir zeza, he mos t’u thirrtë më kurrë emri inshallah - bërtiti me të madhe Sherifi i tërbuar dhe ua mbathi këmbëve, por nuk arriti shumë larg, u kap nga xhandarët e mbretit Lir.
Që të mos bëhej edhe më keq, gjatë kohës sa qëndroi në paraburgim me urdhër të Otellos dhe mbretit Lir, e me pretekst se paska fyer vlerat morale të mbretërisë, Sherifi shkroi veprën Shumë zhurmë për asgjë, e cila e shpëtoi nga prangat. Vepra u mirëprit në radhë të parë nga vet mbreti, sepse atij i mjaftonte vetëm titulli, ndërsa përmbajtja nuk ish edhe shumë me rëndësi. Tekefundit, kush t’i kuptoj more vëlla të gjitha ato budallallëqe që i bien ndërmend Sherifit orë e qas! Pastaj, mbretërit nuk kanë kohë të lexojnë, ata vetëm shkruajnë dhe firmosin!
Të shkretit Sherif iu dashtë shumë kohë që të pajtohet me realitetin kosovar! Por a mendoni se më të vërtet u pajtua? Jo, kurrën e kurrës. Ai edhe sot e kësaj dite bredh rrugëve të perëndimit me sy të përlotur, zemër të thyer dhe laps në dorë, duke u munduar të bind botën se populli i tij e meriton ndryshe, paksa më mirë!
