Bellobrad - Në kuadër të projektit “Urat e Miqësisë”, të cilin e implementon Forumi për Iniciativë Demokratike nga Gjakova, të martën në Bellobrad të Opojës së Sharrit u mbajt një takim me qytetarë, ku morën pjesë përfaqësues nga KK-ja dhe OSBE-ja. Fokusimi në këtë takim ishte gjendja e rënduar e infrastrukturës së këtij lokaliteti, i cili shtrihet në qendër të Opojës.
Në takim u potencua se shumica e banorëve nuk i njohin rregulloret me të cilat vepron administrata komunale, si dhe rëndësinë e tubimeve publike “Është për të ardhur keq që vetëm 2% e banorëve të lokalitetit tuaj dinë për rregulloren 2000/45, në bazë të së cilës vepron pushteti komunal. Ndërkohë që edhe njohuria rreth tubimeve publike të KK-së është e ulët tek ju”, u tha bellobradasve Fuat Haxhibeqiri, menaxher i projektit.
Qytetarët e Bellobradit, si projekte prioritare që duhet të realizohen, potencuan ndriçimin publik dhe sinjalizimin vertikal të rrugëve kryesore, të cilat paraqesin rrezik për sigurinë “Këto projekte duhet të konsiderohen më serioze sepse rrezikohet jeta e afro tetëqind nxënësve, sa ka shkolla jonë”, tha Fadil Bahtiari, drejtor i shkollës fillore të Bellobradit dhe këshilltar në KK nga ky lokalitet.
Përfaqësuesit e projektit premtuan se këto shqetësime do t’ia paraqesin qeverisë lokale të Sharrit, e cila më pas do t’i shqyrtoj ato. /b. beqaj
