Kësaj i thonë Kosovë !


Shkruan: BEQIR BEQAJ








Një ngjarje, e cila qe sa ditë është bërë temë bisedash ndër qytetarët e komunës së vogël dhe të varfër të Sharrit, pasqyron, ndoshta më së miri, se si kryhen punët në Kosovë, duke përdorur lidhjet e interesit në çdo institucion të mundshëm, sipas motos “kruama ti mua shpinën - ta kruaj unë tënden”.
Punëtori i “Sharr-Prodhimit” i telefonon policisë, se dikush po e vjedh një transformator të rrymës elektrike nga prona e ndërmarrjes. Çmontimin e trafos e bëjnë punëtorët e KEK-ut, të cilët sapo e çmontojnë, largohen nga vendi i ngjarjes. Policia e ndalon kamionin e një firme private, e cila po e transportonte trafon. Më pas tërhiqet, pasi mëson se kryetari i Komunës paska pas një “marrëveshje gojore” me drejtorin e ndërmarrjes, për ta çuar trafon në një vend tjetër.
Kryetari e pranon marrëveshjen, sikur thotë, për të mirën e banorëve, nga do të furnizohej me rrymë edhe qendra e tij për kontrollimin teknik të automjeteve. Drejtori i ndërmarrjes e mohon të ketë pasur marrëveshje me kryetarin, duke shtuar se Ai ishte personi që ka lajmëruar policinë. Drejtori i KEK-ut thotë se është punë e punëtorëve nëse janë ndodhur në një situatë që u raportua si vjedhje në polici. Policia e mbyll rastin, pa ndërmarrë asgjë ndaj askujt, edhe pse është dashur që së paku të merren masa ndaj punëtorit që alarmoi “rrejshëm” rastin.
Pas publikimit të stories në “Lajm”, intervenon AKM-ja dhe trafoja kthehet në ndërmarrje, por jo edhe të instalohet aty ku ka qenë.
Sidoqoftë, ende mbetet i paqartë fati i një trafoje tjetër, e cila ishte hequr nga drejtori i “Sharr-Prodhimit”, kinse për t’u dërguar në riparim, por që s’është kthyer as pas një viti. Banorët e lagjes i gëzohen stories së publikuar në “Lajm”. Sipas tyre, nëse do të vendosej ky transformator me fuqi rreth 200 KW, përfundimisht do të shlyheshin gjurmët e transformatorit “në riparim” i cili kishte fuqi 600 KW.
Për ta kompletuar “mozaikun” e tërë këtij pështjellimi, zbardhjen e të cilit duhet ta bëjë prokuroria dhe gjykata, “Lajmi” i dërgon ca pyetje AKM-së për të sqaruar çështjen. Mirëpo, kjo e fundit ia “forwardon” pyetjet edhe kryetarit të Komunës, me gjasë nga ndonjë pion i tij në AKM. Kjo të bën të mendohesh mirë e mirë, para se ta shkruash një artikull hulumtues, sepse, kur dorëzohen organet më të larta dhe më të fuqishme ndaj veprimeve të tilla, gazetari vetëm se e ven kokën në rrezik dhe asgjë më shumë nuk do të bëj. Sikur të ishim në ndonjë shtet perëndimorë, gazetari do të shpallej hero, ndërkohë që organet gjegjëse do ta hulumtonin rastin deri në zbardhjen e çdo cikërrime. Pas kësaj, dikush do të paguante për çdo hap që ka bërë jashtë ligjit.