Kombibusët e Sharrit, me leje të Bordit

Sharr - Me një konkluzion të qeverisë lokale të Sharrit, kombibusëve u zgjatet veprimtaria edhe për një vit. Këtë e ka bërë të ditur kreu i ekzekutivit në Sharr, Bexhet Xheladini, në një prononcim për “Radio Sharrin”. Sipas tij, kjo është bërë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike që mbizotëron në këtë komunë, ndërkohë që ndërprerja e qarkullimit të taksive do ta rëndonte edhe më shumë varfërinë “Duke i marrë parasysh kushtet ekonomike dhe largësinë që ka komuna jonë me Prizrenin, ne u kemi lejuar qarkullimin nga komuna jonë deri në Prizren. Kjo, sepse qarkullimi në këtë relacion edhe ashtu nuk është i mirë”, tha Xheladini, duke pohuar se, megjithatë, taksitë i kanë disa kufizime.
Pa dashur të identifikohet, njëri nga taksi-shoferët tha se qarkullimin e kanë të kufizuar vetëm deri në Prizren “Sipas këtij konkluzioni, ne kemi të drejtë të qarkullojmë vetëm deri në Prizren, ndërkohë që në territorin e kësaj komune nuk kemi të drejtë të bartim udhëtarë, sepse Prizreni e ka ndaluar këtë veprimtari”, tha ky shofer, i cili e dha në shikim konkluzionin e qeverisë së Sharrit, të cilin e shfrytëzon si leje veprimi. Sipas këtij konkluzioni, kombibusëve u është “zgjatur jeta” deri më 19 shkurt të vitit 2008. /b. beqaj