Gjykata nuk doli në terren – Avokati i paditësve largohet

Bellobrad - Gjykata komunale e Sharrit nuk ka dalë të mërkurën në vend të ngjarjes në Bellobrad, ashtu siç kishte vendosur në seancën e fundit gjyqësore, për t’u njoftuar me gjendjen faktike, në lidhje me kontestin rreth ujit të pijshëm. Gjykatësi i lëndës, Fazlian Mushka tha se kanë qenë dy arsye që gjykata nuk doli në terren “Në Bellobrad kishte një rast vdekje dhe pala paditëse ka kërkuar që të shtyhet afati për dalje në terren. Njëkohësisht, pengesë tjetër është se gjykatës nuk i janë paguar shpenzimet që kapin vlerën dyqind euro. Nëse kjo pagesë nuk kryhet, ne nuk do të dalim në terren”, tha Mushka, i cili nuk dha ndonjë datë fikse se kurë do të kryhet shikimi faktik i këtij kontesti.
Më shumë se tri dekada, pasi që e ka zgjidhur problemin e ujit të pijes, fshati Bellobrad i Opojës është zhytur sërish në këtë problem. Kuvendi Komunal dhe CIMIC-u gjerman kanë investuar më shumë se pesë mijë euro për ta meremetuar rezervuarin e vjetër, por ky investim ka arritur deri në gjykatë. Shtatëmbëdhjetë familje, ndonëse kanë ndërtuar rezervuar të ri për nevojat e tyre, i kanë paditur familjet që kanë investuar në rezervuarin e vjetër, duke e ndërruar edhe rrjetin, i cili do t’i furnizoj vetëm familjet që nuk kanë rezervuar tjetër.
Avokati që i përfaqësoi familjet paditëse në seancën e parë gjyqësore, Mejdin Selmani, tha se nuk do t’i përfaqësoj më këto familje, sepse ka mjaftë angazhime të tjera “Unë kamë shumë obligime të tjera dhe nuk do të mund t’i përfaqësoj këto familje. E kam njoftuar edhe gjykatësin e lëndës se nuk do të jem përfaqësues ligjor i familjeve paditëse”, tha avokati goran, Mejdin Selmani.
Në padinë e këtyre familjeve thuhet se ata kanë mbetur pa ujë, pas ndërrimit të rrjetit, por familjet të cilat e kanë meremetuar rrjetin, thonë se kjo është “lajkë” për ta fituar simpatinë e gjykatës “Absolutisht nuk është e vërtetë... Asnjë familje që nuk ka rezervuar, nuk ka mbetur pa ujë. Ne kemi vepruar në bazë të një marrëveshjeje që është arritur në fshat, e cila ua ka mundësuar çdokujt ndërtimin e rezervuarit të ri, pavarësisht se ku e mbledh ujin dhe pavarësisht se ku kalojnë gypat. Kusht i vetëm për ta ka qenë që të shkëputen nga rezervuari ekzistues”, tha Miradin Qafleshi, njëri nga të paditurit. Ai pohoi se nuk e ka të qartë, pse gjykata nuk ka dalë në terren, por ata i kanë pritur edhe dy orë të tjera, pasi ka skaduar koha e paraparë “Ne i pritem edhe dy orë pas skadimit të terminit, por ata nuk erdhën. Nuk e kemi të qartë se pse nuk ndodhi kjo”. /b. beqaj