Rezervuarët e ujit përçajnë Bellobradin

Bellobrad - Më shumë se tri dekada, pasi që e ka zgjidhur problemin e ujit të pijes, Bellobradi është zhytur sërish në këtë problem. Uji i pijshëm, edhe pse i mjaftueshëm për secilën familje, ka filluar të bëhet mollë sherri dhe t’i fusë në përçarje banorët. Kuvendi Komunal dhe CIMIC-u gjerman kanë investuar më shumë se pesë mijë euro për ta meremetuar rezervuarin e vjetër, por ky investim ka arritur deri në gjykatë. Afër njëzet familje, ndonëse kanë ndërtuar rezervuar të ri për nevojat e tyre, i kanë paditur familjet që kanë investuar në rezervuarin e vjetër, duke e ndërruar edhe rrjetin, i cili do t’i furnizoj vetëm familjet që nuk kanë rezervuar tjetër.
Avokati që i përfaqëson familjet paditëse, Mejdin Selmani, tha se nuk e ka të qartë gjendjen faktike, prandaj do të dilet në vend të ngjarjes “Unë nuk jam i interesuar që t’i ndihmoj përçarjes së fshatarëve, por do të veproj në bazë të ligjeve ekzistuese dhe gjendjes faktike në teren. Pasi të dalim në terren, do të shoh nëse kanë të drejtë klientët e mi. Nëse ata nuk kanë të drejtë, unë do të tërhiqem nga ky kontest”, tha avokati goran, Mejdin Selmani.
Kryetari i KK të Sharrit, Halim Shemsidini, tha se i vjen keq që bellobradasit janë zhytur në tensione, por ai është krenar që ka mundur të ndaj mjete financiare për meremetimin e rezervuarit “Unë i falënderoj bellobradasit që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të grumbullojnë mjete, për ta përmirësuar infrastrukturën. Ne do të lëshojmë mjete për secilin fshat, i cili është i interesuar në këtë drejtim dhe që arrin të grumbulloj sadopak mjete nga buxhetet familjare”, tha Shemsidini.
Në padinë e këtyre familjeve thuhet se ata kanë mbetur pa ujë, pas ndërrimit të rrjetit, por familjet të cilat e kanë meremetuar rrjetin thonë se kjo është “lajkë” për ta fituar simpatinë e gjykatës “Absolutisht nuk është e vërtetë... Asnjë familje që nuk ka rezervuar, nuk ka mbetur pa ujë. Ne kemi vepruar në bazë të një marrëveshjeje që është arritur në fshat, e cila ua ka mundësuar çdokujt ndërtimin e rezervuarit të ri, pavarësisht se ku e mbledh ujin dhe pavarësisht se ku kalojnë gypat. Kusht i vetëm për ta ka qenë që të shkëputen nga rezervuari ekzistues. Këtë edhe e kanë bërë, por tani synojnë që të përfitojnë mjete materiale”, tha Miradin Qafleshi, njëri nga të paditurit.
Në fjalimin e të paditurve për këtë aksion, i cili në formë të shkruar i wshtw dorëzuar gjykatës, thuhet se fshati ka bërë një marrëveshje për ta lejuar çdokënd të ndërtoj rezervuar, si dhe të fus gypat nëpër secilën pronë, me kusht që të shkëputen nga rezervuari i vjetër, por që procesverbali i kësaj marrëveshje është fshehur nga djali i kryeplakut të ndjerë të Bellobradit “Ka ekzistuar procesverbali i mbledhjes, ku është arritur një marrëveshje e tillë, por ai është fshehur nga djali i ish-kryeplakut të ndjerë, Sadri Shefiku. Sikur të ekzistonte ai procesverbal, nuk do të arrinte puna deri në gjykatë. Në mungesë të ish-kryeplakut, mund të ftohen në gjykatë anëtarët e gjallë të ish-kryesisë së fshatit, të cilët e dinë se si ka qenë marrëveshja”, thuhet në këtë fjalim.
Sido që të jetë, gjykata ka vendosur që më 31 janar të dalë në vendngjarje, ku do të njoftohet më përsëafërmi me gjendjen faktike. /b. beqaj