Në Brrut u themelua nëndega e LD-së

Brrut - Në saje të përgatitjeve për mbajtjen e Kuvendit të parë Zgjedhor të degës së Lidhjes Demokratike (LD) në Sharr, të mërkurën krerët e Këshillit Iniciativë të degës kanë mbajtur mbledhje në fshatin Brrut, ku edhe është themeluar nëndega e LD-së.
Në një mbledhje të hapur me aktivin e dikurshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe simpatizantët e kësaj partie, është shpalosur plani dhe vizioni i Lidhjes Demokratike.
Vahidin Halili, koordinator për themelimin e degës në Sharr dhe njëherësh anëtar i Këshillit qendror themelues të LD-së tha se dëshira më e madhe e tij ishte që LDK-ja të mos thyhej. Por, sipas tij, në thyerjen e saj kontribuuan krerët komunalë dhe ata qendror të partisë, të cilët u mundën nga epshet karrieriste “Jemi dëshmitarë të ngjarjeve gjatë përgatitjes së Kuvendit të gjashtë të degës së LDK-së. Aty u bë përzgjedhja dhe jo zgjedhja e delegatëve të Kuvendit. Prandaj LDK-ja u thye. LD-ja u krijua që vërtetë ta vazhdoj rrugën e trasuar nga ish-presidenti Rugova”, tha Halili.
Edhe Qamil Kolloni, kryetar i Këshillit Iniciativë shpalosi arsyet e themelimit të LD-së dhe arsyet e shpërbërjes së LDK-së. Sipas tij, shfrytëzimi i partisë për interesa personale, ka quar në thyerjen e partisë më të madhe në vend “Kudo dëgjohej fjala unitet nga krerët e LDK-së. Aty ku ka unitet, nuk ka demokraci por centralizëm. Deri në thyerjen e LDK-së isha edhe vet anëtar i saj. Por, moralisht nuk mund të jem edhe në të ardhmen, sepse interesat personale të krerëve të LDK-së filluan t’i mundin ato kolektive”, tha Kolloni.
Pas kësaj, pjesa dërrmuese e anëtarëve të aktivit të Brrutit, nga radhët e LDK-së, kaluan në LD. Mbledhjen në Brrut e drejtuan Vahidin Halili, i cili njëkohësisht do ta prij nëndegën e LD-së në Brrut dhe Qamil Kolloni, kryetar i Këshillit Iniciativë për Themelimin e Degës së LD-së në komunën e Sharrit. Sipas burimeve tona, themelimi i nëndegëve të LD-së do të zhvillohet me intensitet të shtuar, për të qenë të kompletuar në Kuvendin e parë të Degës, i cili me gjasë do të mbahet më 12 shkurt. /b. beqaj