Megjithatë, edhe pse plaku Abaz thotë se i ka dy virtyte në jetën e tij, të mos gënjej dhe të mos vjedh, banorët e kësaj ane këmbëngulin se kjo shtëpi nuk është vizituar rastësisht në këtë vend ku, siç thonë ata, as dreqi nuk bën ve “Ne nuk kemi guxuar të afroheshim, kur vinin delegacione të larta. Por, fakti që ata kalonin para hundës sonë, ku i shihnim të shoqëruar me femra të reja, të bën të dyshosh se ata nuk vinin këtu rastësisht”, thotë një banor i Brodit, pa dashur të identifikohet.
Abaz Shok, rojtar i kësaj shtëpie gjatë katër dekadave, thotë se të gjithë vizitorët e mëdhenj i mban në mendje edhe sot, por nuk e thotë asnjë fjalë për ndodhitë në brendi të saj gjatë kohës së qëndrimit të të mëdhenjve “Unë e kryeja pjesën time të punës. Se çfarë ndodhte brenda dhomave, as që më interesonte. Këtu vetëm Tito nuk ka qenë, të tjerët krejt. Mbaj mend kur qeveritarët malazez patën ateruar me helikopter, por nuk kisha mundësi të jem pjesë e shoqërisë së tyre, përpos që i shërbeja”, sqaron Shok.
Pas luftës, Shoqata e Gjahtarëve nga Sharri, këtë shtëpi me afro dhjetë shtretër, është munduar ta rinovoj. Por, përpos që ka arritur ta ruaj inventarin ekzistues, asgjë më tepër nuk ka bërë. Fare pranë kësaj shtëpie, një firmë private tashmë po e përfundon një objekt modern hotelier, me shpresë se kësaj zone do t’ia kthej rejtingun e dikurshëm, e që nga kjo pret edhe përfitime materiale. Sipas pronarëve të këtij objekti hotelier, uji burimor, ajri i pastër dhe natyra e rrallë e kësaj ane, garanton se mjetet e investuara do të kthehen nga turistët që pritët të vërshojnë nga viti i ardhshëm. /b. beqaj
