AKM-ja konsultohet me fshataret për privatizimin e kullotave

Sharr - Një javë pas konsultimit me krerët komunal, Zëvendësdrejtori i AKM-së Ahmet Shala të enjten ka biseduar me fshatarët e Sharrit, për t’ua bërë me dije se privatizimi i kullotave të kësaj komune, gjithsesi do të ndodhë. Kjo ka bërë që fshatarët e tubuar në masë të madhe në sallën e KK-së të revoltohen deri në masën, kur Shala u trajtua si Tito dhe sistemi i tij “Ju ma kujtoni Titon dhe keni politikë të ngjashme. Edhe ai në këtë formë na ka konfiskuar kullotat, për t’ia bashkëngjitur Ndërmarrjes Bujqësore ‘Sharrprodhimi’. Tani jemi në sistem tjetër dhe ato toka duhet të na kthehen”, i tha Shalës kryetari i Ballit Kombëtar në Sharr, Xhevdet Tahiri. Reagime të ngjashme u dëgjuan edhe nga fshatarët tjerë, të cilët kërkonin që kullotat t’u kthehen fshatarëve.
Sipas të dhënave që publikoi Shala, “Sharrprodhimi” aktualisht posedon rreth 22 mijë hektarë tokë punuese, të cilat i ka trashëguar nga ish-sistemi. Në një pasqyrë, të cilën e paraqiti drejtori i Drejtorisë komunale për Gjeodezi dhe Kadastër, Meleq Ymeri, “Sharrprodhimi” këtë pronë e shfrytëzon që nga viti 1969, me një vendim të pushtetit të asaj kohe “Nga kjo datë, e gjithë kjo hapësirë i është dhënë kësaj organizate në shfrytëzim, por incizimi i vitit 1981 bëri që ‘Sharrprodhimi’ t’i përvetësoj këto toka. Është detyrë e juaj që të gjeni pronarin e vërtetë”, tha Ymeri. Mirëpo, Shala u përgjigj se ato toka kanë qenë kullota shoqërore, edhe para marrjes në shfrytëzim nga “Sharrprodhimi”. Sipas tij, këto hapësira kurrë nuk kanë pas pronar me tapi “Ju edhe atëherë nuk keni qenë pronar, por shfrytëzues. Prandaj, ju mund të merreni vesh dhe të organizoheni për t’i blerë ato toka. Ndryshe, privatizimi i tyre do të ndodh”, tha Shala.
Aktualisht, ndërmarrja “Sharrprodhimi” në Sharr, pothuajse nuk funksionon fare. Edhe pse janë bërë përpjekje të shumta nga organizata të ndryshme, që kjo ndërmarrje të mëkëmbët, ajo ende ballafaqohet me probleme të mëdha, ndërkohë që rreth 30 mijë hektarë tokë mbesin pa u punuar. /b. beqaj